Përmbledhje e edicionit të dytë të çmimit ”Babilon” (2015)

Edicioni i dytë i Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon”, projekt që buron nga bashkëpunimi midis Delegacionit të BE-së në vend dhe Shoqatës së Përkthyesve SHPRM, u shpall më 26 shtator të vitit 2014 në kuadër të shënimit të Ditës Evropiane të Gjuhëve.

Në edicionin e dytë të Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” u paraqitën përkthyes të rinj nga pesë gjuhë origjinale – anglisht, bullgarisht, italisht, frëngjisht dhe spanjisht – në dy gjuhë të synuara, maqedonisht dhe turqisht. Aplikimet kaluan nëpër tre cikle të përzgjedhjes dhe sipas rezultateve të përmbledhura nga Komiteti Organizativ, me çmimin e parë u shpërblye përkthimi nga italishtja në maqedonisht i një fragmenti nga vepra Paturpësitë e shkrimtarit Niccolo Ammaniti, nga Kristijan Fidanoski. Çmimi u nda më 28 shtator të vitit 2015 në Qendrën Informative të BE-së në Shkup. Meqenëse dallimi midis vendeve të para ishte vërtet i vogël, Komiteti Organizativ, ashtu si vitin e kaluar, vendosi t’i vlerësonte me lëvdata vendin e dytë dhe të tretë: Zorica Petkoska për përkthimin nga anglishtja në maqedonisht të një fragmenti nga vepra Sypatrembje e shkrimtarit Roddy Doyle dhe Sanja Tanevska për përkthimin nga spanjishtja në maqedonisht të një fragmenti nga vepra Wabi-Sabi e shkrimtarit Francesc Miralles. Po këtë vit, Zorica Petkoska dhe Nikolla Gjelinçeski u vlerësuan me lëvdatë për krijimtari në gjetjen e zgjidhjeve në përkthim në gjuhën maqedonase për përkthimin e një pjese të veprës së China Tom Mieville me titull Det hekurudhash.

Edicioni i tretë i Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” u shpall në ceremoninë e dhënies së çmimit.

Shoqata e Përkthyesve SHPRM prezantoi Çmimin për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Përkthyesve dhe Interpretuesve Profesionistë (IAPTI) në Bordo, Francë, më 5 dhe 6 shtator të vitit 2015. Pas prezantimit të çmimit, Shoqata mori ftesë për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropian të Shoqatave të Përkthyesve Letrarë (CEATL) dhe për ta prezantuar çmimin përpara delegatëve në mbledhjen vjetore që u mbajt në Barcelonë në qershor të vitit 2016.

Anëtarët e Komitetit Organizativ të çmimit “Babilon” dhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së në vend prezantuan rezultatet e edicionit të dytë të çmimit para kolegëve të tyre në Bruksel.