Përmbledhje e edicionit të gjashtë të çmimit “Babilon” (2019)

Në edicionin e gjashtë të Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” mbërritën aplikime nga pesë gjuhë origjinale – anglisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe çekisht – në dy gjuhë të synuara, maqedonisht dhe serbisht.

Fituesi i këtij edicioni të çmimit “Babilon” është përkthimi nga gjermanishtja në maqedonisht i një fragmenti nga vepra Buzëqeshja misterioze e shkrimtares Bettina Storks, nga Elena Mitriçka. Çmimin ia dorëzuan ambasadori Samuel Zhbogar, kreu i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe kryetarja e Komitetit Organizativ të çmimit “Babilon” dhe SHPRM-së, Ognena Nikuljski.

Përveç anëtarësisë aktive njëvjeçare në SHPRM dhe botimit të përkthimit në revistën Kulturen zhivot, Elena do të shpërblehet me një vizitë në Panairin e Librit në Frankfurt, Gjermani, në tetor të vitit 2020.

Me lëvdata u vlerësuan Elena Strezoska dhe Stojanka Nikollova për përkthimin nga gjermanishtja në maqedonisht të një fragmenti nga vepra Trapi i Meduzës e shkrimtarit Franz Stefan Griebl, si dhe Ivona Gerasimovska për përkthimin e një fragmenti nga vepra Hija e shkrimtares Melanie Raabe, po ashtu nga gjermanishtja në maqedonisht. 

Konkursi u shpall në maqedonisht, anglisht dhe shqip në media të shkruara dhe elektronike, ndërsa fakultetet filologjike në të gjitha universitetet publike dhe private në vend, si dhe pikat e informimit të BE-së në disa qytete u furnizuan me materiale promovuese shtesë. Për më tepër, përfaqësues të Komitetit Organizativ, Delegacionit dhe disa prej përkthyesve të rinj të shpërblyer më parë ishin mysafirë në televizionet kombëtare, me qëllim të shpërndarjes së informacionit në lidhje me konkursin te një audiencë sa më e gjerë.

Në kuadër të këtij cikli u mbajtën 5 seanca informative dhe punëtori përkthimi në Shkup, Shtip, Tetovë dhe Manastir, ku të pranishmit patën mundësinë të përkthenin tekste nga disa gjuhë zyrtare të shteteve anëtare të BE-së në maqedonisht dhe shqip.