Kam mbushur tashmë 26 vjeç. A kam të drejtë të marr pjesë në konkurs?
Nëse nuk keni mbushur 27 vjeç deri në afatin përfundimtar të aplikimit, keni ende të drejtë të merrni pjesë.
Për afatin përfundimtar më 3 prill të vitit 2020, kur duhet të jetë botuar vepra origjinale?
Vepra nuk duhet të jetë botuar para 3 prillit të vitit 2017, tre vjet para afatit.
A është e lejuar që vepra të jetë tashmë e botuar në përkthim në tregun maqedonas?
Vepra nuk guxon të jetë e botuar në përkthim në gjuhën në të cilën jeni duke përkthyer, as në tregun tonë dhe as jashtë tij.
Nëse vepra origjinale është në spanjisht, a duhet që autori të jetë nga Spanja apo mund të jetë nga Amerika Latine, për shembull?
Origjina e autorit nuk luan rol. Është e rëndësishme që vepra të jetë botuar fillimisht në një shtet anëtar të BE-së, në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit.
A duhet që botimi origjinal të jetë botuar në BE?
Po.
A mund të përdorim shënime në përkthim?
Sigurisht që mundeni, thjesht kini kujdes që të mos e zhvendosni vëmendjen nga teksti kryesor me shpjegime të tepërta dhe të mos përdorni shënimet për të arsyetuar zgjedhjen e fjalëve në përkthim. Lëreni përkthimin të flasë vetë.
A duhet të lektorohet teksti para paraqitjes së aplikacionit?
Nuk kërkohet; është zgjedhje personale e pjesëmarrësit, i cili është më tej përgjegjës për tekstin e përkthyer në tërësi. Nëse vendosni për lektorim, mund ta parashtroni tekstin si punë të përbashkët me lektorin, i cili duhet të plotësojë kushtet për pjesëmarrje në konkurs dhe të përfshihet në aplikim.
E njoh shumë mirë spanjishten, kam certifikatë ndërkombëtare, por nuk jam përkthyes i certifikuar gjyqësor. A kam të drejtë të marr pjesë ose konkursi është i hapur vetëm për një grup të caktuar përkthyesish?
Konkursi nuk kufizohet në asnjë kategori përkthyesish. Kufizimet e vetme janë mosha e pjesëmarrësve dhe gjuhët origjinale dhe ato të synuara.
A ka ndonjë listë të veprave origjinale nga të cilat përkthyesi duhet të zgjedhë tekstin për përkthim?
Jo, nuk ka një listë të tillë. Pjesëmarrësit mund të zgjedhin çfarëdo vepre origjinale që plotëson kushtet e përcaktuara në konkurs.
A ka ndonjë faqe të internetit ku mund të kontrolloj nëse vepra është përkthyer tashmë në gjuhën maqedonase?
Po, në katalogun e përbashkët digjital të bibliotekave maqedonase do të gjeni të gjitha veprat e botuara në vend, në çdo gjuhë: https://plus.mk.cobiss.net/opac7/bib/search?q&db=cobib&mat=allmateriale. Katalogë të ngjashëm ekzistojnë në disa prej vendeve fqinje, si Serbia dhe Shqipëria, për shembull.
Si mund të kontrolloj nëse vepra është botuar fillimisht në Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh që autori mund të jetë nga një vend jashtë Bashkimit?
Të dhënat për vendin dhe vitin e botimit, por edhe për numrin e botimit, mund të gjenden në impresumin e secilit libër. Edhe nëse nuk keni qasje në libër, ato të dhëna mund t’i gjeni lehtësisht me një hulumtim të vogël në internet. Katalogët elektronikë, si për shembull katalogët e botuesve, shpesh paraqesin ekzemplarë të librave, ku zakonisht përfshihet impresumi. Teksti origjinal duhet të jetë botuar fillimisht në BE, në tre vitet e fundit. Përveç kësaj, nëse autori, pavarësisht nga origjina, jeton dhe punon në një vend anëtar të BE-së, ka shumë gjasa që vepra të përmbushë kriteret e nevojshme.
A luajnë ndonjë rol të drejtat e autorit në procesin e aplikimit ose në botimin e përkthimeve fituese?
Përkthimi i një fragmenti të shkurtër nga teksti, me qëllim të pjesëmarrjes në konkurs, nuk cenon të drejtat e autorit, duke qenë se shumica e teksteve të pranuara nuk do të botohen fare. Ndërsa për sa u përket teksteve fituese, revista Kulturen zhivot kujdeset që të mos ketë shkelje të të drejtave të autorit gjatë botimit, në përputhje me rregulloret ligjore në këtë fushë.
A më lejohet të parashtroj përkthimin e një libri të tërë, siç është një roman me njëqind faqe? A ka ndonjë kufizim për sa i përket gjatësisë së tekstit të parashtruar?
Përkthimi i parashtruar duhet të jetë me gjatësi prej 3000 deri 5000 fjalësh. Nëse dorëzoni një libër të tërë, komisionet do të shqyrtojnë dhe vlerësojnë vetëm një fragment me gjatësinë e kërkuar.
Cilat janë dokumentet e nevojshme për të aplikuar?
Përveç një kopjeje të tekstit origjinal dhe të përkthimit, me një kod prej pesë karakteresh duhet të dërgoni një fletëparaqitje të plotësuar, një letër motivimi dhe një kopje të letërnjoftimit në adresën e postës elektronike në vijim: Babyloncompetition@euhouse.mk. Shpjegime më të hollësishme në lidhje me procedurën e regjistrimit do të gjeni në seksionin Si të paraqiteni .
Kur duhet ta dërgoj aplikacionin për të marrë pjesë në konkurs?
Aplikacionin, së bashku me të gjithë dokumentacionin shoqërues, duhet të na dërgoni jo më vonë se afati përfundimtar, i cili është çdo vit në ditën e parë të punës të muajit prill.
Kush është përgjegjës për pranimin e aplikacioneve?
Përgjegjës për pranimin e aplikacioneve është Delegacioni i BE-së në Shkup.
Deri kur saktësisht pranohen aplikacione?
Të gjitha aplikacionet e mbërritura deri në orën 23:59 në ditën e afatit përfundimtar do të pranohen.
Çfarë duhet të përmbajë letra e motivimit dhe sa e gjatë duhet të jetë?
Letra e motivimit nuk rekomandohet të jetë më e gjatë se dy faqe, por ky parakusht nuk është veçanërisht i rreptë. Është më e rëndësishme që në letër të dëgjojmë zërin tuaj, prandaj përshkruani me fjalët tuaja se çfarë ju shtyu të paraqiteni në konkurs dhe pse pikërisht me tekstin që keni zgjedhur.
Duke pasur parasysh largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, cilat vepra letrare në gjuhën angleze mund t’i zgjedh si tekste origjinale?
Vepra letrare në anglisht, të botuara fillimisht në Republikën e Irlandës ose në Maltë. Mjafton që vepra të jetë botuar fillimisht në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit, si dhe të plotësojë kushtet për t’u përdorur si tekst për përkthim në konkurs.