Si fillim, zgjidhni një vepër në proze, pa marrë parasysh nëse është roman, novelë, tregim apo prozë dokumentare - e shkruar në një nga gjuhët zyrtare të BE-së, të cilën dëshironi ta përktheni në një nga gjuhët e folura në Maqedoninë e Veriut (maqedonisht, shqip, turqisht, romisht, serbisht, vllahisht). Kuptohet që për të marrë pjesë në konkurs dhe për t'u bërë fitues i mundshëm i çmimit, nuk presim që të përktheni një roman të tërë, por një fragment ose tekst të shkurtër midis 3000 dhe 5000 fjalësh. Është më e lehtë tani, apo jo?
Megjithatë, për hir të frymës garuese, si dhe për të dëshmuar aftësitë tuaja hulumtuese, gjatë përzgjedhjes së tekstit origjinal do të duhet të plotësoni tre kushte të rëndësishme: vepra duhet të jetë botuar fillimisht në një shtet anëtar të BE-së në një nga gjuhët zyrtare të Bashkimit, më së shumti tre vjet para datës së dorëzimit të aplikimeve dhe të mos jetë tashmë e përkthyer në gjuhën në të cilën do të përktheni.
Në pjesën Lidhje të dobishme për pjesëmarrësit e mundshëm ju kemi dhënë shembuj të vendeve ku mund të gjeni titullin që ju tërheq vëmendjen. Lista jonë është larg të qenit e përfunduar, por mund t'ju japë një ide se si të kërkoni më tej: në faqet e internetit të bibliotekave kombëtare ose shtëpive botuese në vendet përkatëse, në qendrat e tyre kulturore në Maqedoninë e Veriut, në botimet elektronike të gazetave ditore dhe javore ose në revista kulturore dhe letrare.
Nëse dëshironi të zbuloni nëse vepra është përkthyer tashmë në maqedonisht, këtë mund ta bëni në faqen e Sistemit dhe shërbimeve të përbashkëta bibliografike në internet: https://www.mk.cobiss.net/. Për disa nga gjuhët e tjera që fliten në Maqedoninë e Veriut, duhet të vizitoni platformat e ngjashme në vende të tjera, të tilla si: https://al.cobiss.net/, https://sr.cobiss.net/, ose http://www.mkutup.gov.tr/en/Sayfalar/default.aspx.
Meqenëse për qëllime të konkursit do të përktheni tregime ose fragmente të shkurtra nga librat, është një mundësi e shkëlqyeshme për të bashkëpunuar me kolegë të tjerë që përkthejnë nga e njëjta gjuhë origjinale. Për shembull, mund të gjeni një vepër së bashku dhe më pas të nxirrni fragmente ose tekste të shkurtra me të cilat do të punoni individualisht ose në grup.
Kur jemi te bashkëpunimi, në konkurs keni mundësi të paraqiteni me një përkthim që e keni punuar vetëm ose së bashku me një përkthyes tjetër. Nëse mendoni se me dikë keni qasje të ngjashme ndaj përkthimit apo që e plotësoni mirë njëri-tjetrin, shfrytëzoni mundësinë që jua ofron çmimi ''Babilon'' dhe dërgoni një përkthim që do të jetë rezultat i punës së përbashkët të një grupi të përbërë nga më së shumti tre përkthyes. Nëse megjithatë parapëlqeni të punoni në mënyrë të pavarur, na dërgoni një përkthim që e keni punuar vetë. Në qoftë se e keni të vështirë të zgjidhni sepse ju tërheqin të dy mundësitë ose nuk mund të vendosni vetëm për një tekst origjinal, kemi një zgjidhje edhe për ju. Secili pjesëmarrës mund të dërgojë deri në tre aplikime të veçanta, çka ju jep mundësinë të provoni pak nga të gjitha.
Çfarë ju pret pasi të keni përfunduar përkthimin ose përkthimet? Mos u shqetësoni, ju ngelin vetëm disa imtësi, të cilat, meqë keni arritur deri këtu, janë të lehta fare.
Së pari, shkarkoni fletëparaqitjen elektronike , plotësojeni dhe skanojeni. Pastaj, na shkruani një letër motivimi në të cilën do të shpjegoni se çfarë ju shtyu të paraqiteni në konkurs, për çfarë qëllimi paraqiteni dhe si vendosët për tekstin origjinal që keni zgjedhur. Letrën mund ta shkruani në një gjuhë më të lirë, ne duam të dëgjojmë zërin tuaj të vërtetë dhe gjërat që ju tërheqin në fushën e përkthimit letrar.
Pastaj dërgoni fletëparaqitjen e skanuar, letrën e motivimit, tekstin origjinal, përkthimin dhe kopjen e letërnjoftimit tuaj në adresën: babylonaward2024@gmail.com.
Kushtojini vëmendje disa detajeve. Në ekzemplarin e tekstit origjinal mos harroni të përfshini titullin origjinal dhe emrin e autorit dhe sigurohuni që të ketë faqe të numëruara. Përkthimi juaj duhet të jetë në fontin Times New Roman, me madhësi 12 të shkronjave dhe me ndarje të dyfishtë.
Për të ruajtur anonimitetin e përkthimeve, sigurohuni që emri juaj të mos duket askund në tekstin origjinal apo atë të përkthyer. Përkthimin dërgojeni me një shifër prej pesë karakteresh të zgjedhur nga vetë ju, ndërsa nëse dërgoni më shumë përkthime, do t’ju duhet një aplikim i veçantë me dokumentacion të plotë dhe një shifër të veçantë për secilin prej tyre.
Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve çdo vit është dita e parë e punës në muajin prill.
Kur e dërgoni aplikimin në babylonaward2024@gmail.com, do të merrni një konfirmim se është marrë. Përkthimet kalojnë nëpër tre cikle të përzgjedhjes, i pari prej të cilëve është thjesht formal, ku përcaktojmë nëse aplikimi është i plotë dhe i rregullt dhe se i plotëson të gjitha kriteret. Përkthimet më pas kalojnë nëpër kontrolle dygjuhëshe dhe njëgjuhëshe, të kryera nga përkthyes me përvojë, autorë dhe profesorë universitarë, të cilët vlerësojnë jo vetëm rregullsinë e përkthimit, por edhe strukturën dhe gramatikën e gjuhës së synuar, leksikun, mënyrën e të shprehurit dhe stilin.
Meqenëse konkursi është i hapur për përkthime në më shumë gjuhë të synuara, është e paraparë të jepet një çmim i parë për secilën gjuhë të synuar, ndonëse Komiteti Organizativ rezervon të drejtën të mos japë çmim ose të japë lëvdata dhe vlerësime shtesë nëse e sheh si të nevojshme. Një përfaqësues i Delegacionit të Bashkimit Evropian do të kontaktojë me pjesëmarrësit para ceremonisë së ndarjes së çmimeve dhe do t’i ftojë të marrin pjesë në ngjarjen festive, e cila mbahet tradicionalisht më 26 shtator, në Ditën Evropiane të Gjuhëve, kur shpallet edhe edicioni i ardhshëm i konkursit.
Nëse keni pyetje shtesë në lidhje me procedurën e aplikimit, mos ngurroni të drejtoheni te babylonaward2024@gmail.com.