Rreth çmimit Babilon

Çmimi për përkthyesin më të mirë të ri “Babilon” u themelua në vitin 2013, me iniciativë të Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa konkursi organizohet bashkërisht nga Delegacioni dhe Shoqata e Përkthyesve dhe Interpretuesve (SHPRM).

Çmimi u nda për herë të parë në Ditën Evropiane të Gjuhëve, më 26 Shtator të vitit 2014, dhe që atëherë, çdo konkurs i ardhshëm shpallet në shtator, pas ndarjes së çmimeve për vitin aktual.

Çmimi është i paraparë për përkthyesit e rinj deri në moshën 26 vjeç, qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët përkthejnë nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian në gjuhët që fliten në vend. Konkursi organizohet në formën e një gare, ku kandidatët dërgojnë përkthime të fragmenteve nga vepra letrare në prozë, të zgjedhura nga vetë ata, me gjatësi prej 3000 deri në 5000 fjalë. Sipas kushteve të konkursit, veprat duhet të kenë qenë të botuara fillimisht në një shtet anëtar të BE-së jo më herët se tre vjet para afatit për paraqitjen e aplikimeve dhe të mos jenë të përkthyera në gjuhët e përfshira në konkurs. Çmimi është një lloj projekti pilot. Sipas hulumtimeve tona, ky është aktualisht konkursi i vetëm i llojit të vet në Evropë, madje edhe në botë: përfshin përkthime nga disa gjuhë origjinale – të gjitha gjuhë zyrtare të BE-së – në më shumë gjuhë të synuara, përkatësisht gjuhët që fliten në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në çdo edicion mund të jepen po aq çmime të para sa edhe gjuhët e synuara në të cilat kanë mbërritur aplikime. Nga edicioni i pestë e këtej, çmimi përbëhet nga pjesëmarrja në një ngjarje ndërkombëtare që ka të bëjë me letërsinë, botimin dhe/ose përkthimin në një shtet anëtar të BE-së (ndërsa deri në edicionin e katërt fituesit merrnin shpërblim në para me vlerë prej 500 eurosh në kundërvlerë të denarit); anëtarësia aktive njëvjeçare në SHPRM, e cila mbulohet nga Shoqata dhe vlen 15 muaj, deri në fund të vitit të ardhshëm kalendarik, si dhe botimi i përkthimeve të shpërblyera me çmimet e para, pjesërisht ose plotësisht, në revistën Kulturen Zhivot, si një hap fillestar drejt afirmimit më të gjerë dhe ndërtimit të biografive profesionale të fituesve.

Deri më tani janë mbajtur shtatë edicione të Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” dhe janë ndarë gjithsej dymbëdhjetë çmime të para, shtatë prej të cilave kanë qenë për përkthime në maqedonisht, dy për përkthime në turqisht dhe tre për përkthime në shqip. Në këtë mënyrë është krijuar një bashkëpunim afatgjatë midis SHPRM-së, Delegacionit të BE-së dhe figurave kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

SHPRM prezanton Çmimin për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” në konferencat e veta vjetore, të cilat janë me karakter rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe në konferenca ndërkombëtare të përkthyesve, përfshirë Konferencën e Tretë Ndërkombëtare të Shoqatës Ndërkombëtare të Përkthyesve dhe Interpretuesve Profesionistë (IAPTI) në Bordo, në shtator të vitit 2015, si dhe në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian të Shoqatave të Përkthyesve Letrarë (CEATL) në Barcelonë, në vitin 2016, pas së cilit SHPRM u bë anëtare e plotë e Këshillit dhe tani dërgon raporte për veprimtarinë e saj në asambletë vjetore të këtij rrjeti të rëndësishëm të shoqatave. Në vitin 2016, SHPRM emëroi çmimin “Babilon” në konkursin për 100 projektet më të mira në industrinë e gjuhës, Language Industry Award. Çmimi u rendit mes finalistëve dhe fitoi vendin e njëzet e shtatë.