Edicioni i tretë i Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon”, projekt që buron nga bashkëpunimi midis Delegacionit të BE-së në vend dhe Shoqatës së Përkthyesve SHPRM, u shpall më 26 shtator të vitit 2015, si pjesë e shënimit të përvitshëm të Ditës Evropiane të Gjuhëve.
Në edicionin e tretë të Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” u paraqitën përkthyes nga pesë gjuhë origjinale – anglisht, sllovenisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht – në dy gjuhë të synuara, maqedonisht dhe turqisht.
Pas kontrollit dygjuhësh dhe njëgjuhësh dhe përmbledhjes së rezultateve, më shumë pikë fituan përkthimi nga italishtja në maqedonisht i një fragmenti nga vepra Teoria e hijeve e shkrimtarit Paolo Maurensig, nga Daniela Zdravkovska, dhe përkthimi nga anglishtja në turqisht i një fragmenti nga vepra Hidhërimi është ajo gjëja me pupla e shkrimtarit Max Porter, nga Jusuf Sanberk. Çmimet u ndanë më 26 shtator të vitit 2016, në sallën e ceremonive të Fakultetit Filologjik “Bllazhe Koneski” – Shkup. Duke pasur parasysh dallimin e ngushtë midis tre vendeve të para për përkthim në maqedonisht, ashtu si në vitet e kaluara, Komiteti Organizativ vendosi të shpërblejë me lëvdata përkthyesit e renditur në vendin e dytë dhe të tretë: Marija Kocevska dhe Ana Dimevska, për përkthimin nga frëngjishtja në maqedonisht të një fragmenti nga vepra Kjo zemër që ndryshon e shkrimtares Agnes Desarthe, dhe Elena Krkulleva për përkthimin e një fragmenti nga vepra Mizoria e shkrimtarit Nicola Lagioia, nga italishtja në maqedonisht.
Si çdo vit, pas ndarjes së çmimeve u shpall edhe edicioni i katërt i Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon”.
Pas prezantimit të suksesshëm të konceptit të Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” në konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Përkthyesve dhe Interpretuesve Profesionistë (IAPTI) në Bordo në vitin 2015, Shoqata e Përkthyesve SHPRM mori ftesë për anëtarësim, kurse nga 2 qershori i vitit 2016 u bë zyrtarisht anëtare e plotë e Këshillit Evropian të Shoqatave të Përkthyesve Letrarë (CEATL). Përfaqësuesja jonë Kalina Janeva, e cila me ftesë të nënkryetares së Këshillit, Cecile Deniard, mori pjesë në takimin e tyre vjetor në Barcelonë, me këtë rast foli për Çmimin për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” para kolegëve nga e gjithë Evropa.