Përmbledhje e edicionit të pestë të çmimit “Babilon” (2018)

Në edicionin e pestë të Çmimit për përkthyesin më të mirë të ri ”Babilon” mbërritën aplikime nga shtatë gjuhë origjinale – anglisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, kroatisht, holandisht dhe polonisht – në dy gjuhë të synuara, maqedonisht dhe shqip.

Dy përkthime u vlerësuan me çmimin e parë në këtë edicion: përkthimi nga spanjishtja në maqedonisht i një fragmenti nga vepra Historia ime e vërtetë e shkrimtarit Juan Jose Millas, nga Nikolla Spasovski, si dhe përkthimi nga spanjishtja në shqip i një fragmenti nga vepra Labirinti i shpirtrave e Carlos Ruiz Zafon, nga fituesja e vitit të kaluar Ardita Zulfiu. Çmimet u ndanë nga përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në vend, Frank Janmat, dhe kryetarja e Komitetit Organizativ të çmimit “Babilon” dhe Shoqatës së Përkthyesve SHPRM, Ognena Nikuljski.

Krahas fituesve, me lëvdata u vlerësuan Adrijana Trajanova, për përkthimin e saj nga gjermanishtja në maqedonisht të një fragmenti nga vepra Të kemi njëri-tjetrin e shkrimtares Luise Maier, si dhe Mario Stojanoski për përkthimin e një fragmenti nga vepra Shprehja e mbinatyrshme e duarve të tij e shkrimtarit Miljenko Jergoviç, nga kroatishtja në maqedonisht.

Për fituesit e çmimit, Nikolla Spasovskin dhe Ardita Zulfiun, u organizua një vizitë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Madrid. Veç kësaj, ata fituan të drejtën për anëtarësi aktive njëvjeçare falas në SHPRM, kurse përkthimet e tyre u botuan në revistën Kulturen Zhivot .

Si çdo vit, informacioni në lidhje me çmimin u shpërnda në media dhe përmes kanaleve të komunikimit elektronik të Delegacionit dhe Shoqatës. Për më tepër, u mbajtën edhe 5 seanca informuese dhe punëtori përkthimi në qytetet Shkup, Shtip, Tetovë dhe Manastir, me qëllim të promovimit më të gjerë dhe informimit të sa më shumë të interesuarve.